Në mbarë botën gratë kalojnë dyfish më shumë kohë se sa burrat në punët pa pagesë - në përkujdesje të familjes. Ky model i ndarjes së roleve është vështirë të ndryshohet. Me këtë çështje duhet të merret edhe qeveria.
Dita ndërkombëtare e grave: gra të shquara në Gjermani
Gratë paguhen më pak se burrat
Po, në shoqërinë gjermane ekziston burri modern: ai është kryesisht i shkolluar dhe flet për barazinë, rregullimin në baza të partneriteti të obligimeve në punë dhe në familje. Këtë e bën rreth një e treta e burrave gjermanë, thuhet në një studim të Ministrisë për Familje. Por ekziston edhe ajo dilema e madhe, "por".
Kjo dëshirë e burrit dhe gruas moderne shpesh nuk mund të realizohet. Edhe më tej për punë të njëjtë, gratë paguhen më pak se burrat dhe burri mbetet ai që fiton më shumë në familje. Edhe më tej për burrat që kërkojnë punë me orar të shkurtuar rrezikojnë karrierën, që do të thotë se edukimi i fëmijëve prapë se prapë mbetet çështje e grave. Ende mungojnë kopshtet dhe shkollat me përkujdesje gjatë tërë ditës. Prindërit shumë shpesh përballen me mungesë kohe.
Burri duhet të sjellë para
Për gratë që jetojnë të vetme me fëmijë, rreziku i varfërisë është shumë më i madh, ndërsa për çiftet do të thotë se duhet t'i kthehen modelit të vjetër. Gruaja mbetet për një kohë më të gjatë e angazhuar me fëmijët dhe familjen, ndërsa burri duhet të sjellë para.
Ndarja e roleve është e ngulitur thellë në historinë e Gjermanisë. Ajo manifestohej edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitet 50-të, gratë duhej t'u lironin vendet burrave të traumatizuar të kthyer nga lufta dhe burgjet.
Ndarja e roleve ka traditë në Gjermani
Ndonëse burri dhe gruaja janë të barabartë edhe me kushtetutë, burri për një kohë të gjatë ishte edhe juridikisht kreu i familjes. Gruaja kishte nevojë gati deri në fund të viteve 70-të që para punësimit të marrë pëlqimin me shkrim të burrit. Në pjesën Perëndimore të Gjermanisë numri i kopshteve për fëmijë ishte shumë më i vogël se ai në pjesën Lindore.
Ky është edhe sot një problem që shkakton diskriminimin strukturor të gruas. Për shembull, gratë në Gjermani fitojnë mesatarisht 23,2 për qind më pak se burrat, u ankua se fundi Komisionerja e BE-së, Viviane Reding. Në krahasim me vendet e tjera, Gjermania ka shumë pak gra në pozicionet udhëheqëse. Komisioni i OKB kundër diskriminimit ka kërkuar prej Gjermanisë disa herë ndryshimin e kësaj strukture.
Autor: Ulrike Mast-Kirschning/ Bahri Cani
Redaktoi: Auron Dodi